Në gjuhën kolokviale, interkulturalizmi përfaqëson përmirësimin, zhvillimin dhe promovimin e kulturave të ndryshme përmes respektit të ndërsjellë, dialogut dhe tolerancës. Ky term është më i përdoruri në mesin e popujve pakicë, dhe shembujt më të mirë për këtë janë qytetet si Ulqini dhe Tivari.
Komunikimi ndërkulturor është procesi ose mënyra e transmetimit të informacionit jashtë kornizës së një kulture. Duke marrë parasysh se Mali i Zi është një vend multikulturor, qytetet e tij, veçanërisht qytetet jugore, ushqejnë lidhjet ndërfetare dhe lidhjet ndërkulturore. Lidhja kryesore mes banorëve të Ulqinit dhe Tivarit në kuadrin ndërkulturor është gjuha. Gjuha zyrtare e Malit të Zi është e njëjtë për të gjithë, por nuk është rast i rrallë që pjesëtarët e popujve malazezë, serb dhe të tjerë së bashku të flasin jashtëzakonisht mirë gjuhën shqipe. Në shkollat e Ulqinit struktura e nxënësve në kuptimin kombëtar është e përzier, por megjithatë ata i bashkon gjuha.
Fëmijët për nga natyra janë qenie të pakorruptuara, siç do të thoshte i famshmi Branko Miliqeviq „Kockica“ që ato janë „bartësit e ardhshëm të funksioneve shtetërore dhe shoqërore“, por që nga rinia më e hershme thithin mençurinë dhe edukimin e prindërve dhe mentorëve të tyre. Nga çerdhet dhe kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme e deri në universitet, fëmijët formohen si individë në mjediset e sipërpërmendura, duke mësuar të respektojnë dallimet. Është pikërisht ky edukim i përbashkët, i mbështetur nga komunikimi, që bën një element shumë të rëndësishëm të jetës së përbashkët mes komuniteteve kulturore. Ka skuadra sportive që bashkojnë kampionët e ardhshëm, të cilët, pavarësisht dallimeve, i kapërcejnë dallimet përmes sportit. Situatë e ngjashme vërehet tek shoqëritë kulturore dhe artistike, si dhe me seksionet letrare apo forumet rinore.
Lojërat pa kufi, Dita e Ulqinit, festivalet, garat shkollore, mbrëmjet e gjysëm-maturës dhe maturës, panairet dhe festat fetare padyshim që i bashkojnë fëmijët dhe të rinjtë, sepse kur ato mësojnë të respektojnë kultura dhe zakone të ndryshme, kanë kapacitet të përmirësojnë veten. Për shkak të vetë strukturës së popullsisë në qytet, në Ulqin të gjitha festimet shtetërore, lokale dhe shumë të tjera paraqiten në dy gjuhë. E njëjta gjë ndodh edhe me format apo kërkesat e ndryshme me shkrim apo me ushtrimin e të drejtave, nga aktet ligjore dhe administrative e deri te menutë e restoranteve. Megjithatë, komunikimi ndërkulturor është baza e të gjithë këtyrave. Nuk janë të rralla rastet kur nxënësit që flasin gjuhën malazeze apo shqipe (dhe nuk e kuptojnë tjetrën) komunikojnë në gjuhën angleze, e cila ka marrë një shtrirje të gjërë në shoqërinë tonë dhe përdoret në të gjitha sferat e komunikimit.
Mësimi i gjuhës, marrja e zakoneve dhe traditave të ndryshme, pjesëmarrja në festivale dhe festime kontribojnë në homogjenizimin e shoqërisë dhe përmes lojës dhe shoqërimit fëmijët zhvillohen dhe krijojnë miqësi të përjetshme. Përveç gjuhës, këtë grup e lidh edhe Ulqini, pra vendi ku jetojnë dhe rriten. Sipas psikologëve, komunikimi i mirë dhe shoqëria parandalojnë dhunën e bashkëmoshatarëve, sepse fëmijët mësohen siç duhet të respektojnë dallimet. Duke përvetësuar njohuri të ndryshme, të rinjtë fitojnë përvoja të vlefshme, me të cilat zhvillojnë komunikim të mirë mes tyre dhe përpiqen të zgjidhin çdo mosmarrëveshje përmes komunikimit. Ulqini është një qytet i mrekullueshëm për të hulumtuar interkulturalizmin. Psikologjikisht, për fëmijët e Ulqinit dhe Tivarit është shumë e rëndësishme që përmes njohjes me gjuhën, kulturën, zakonet dhe muzikën të forcojnë komunitetin, por edhe tolerancën në një kohë dhe hapësirë specifike siç është Gadishulli Ballkanik, i cili gjithmonë ka respektuar multi/interkulturalizmin. Të gjitha bashkësitë fetare, ekipet sportive, institucionet publike ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë dhe kjo është rezultat i njohurive të mirëpërvetësuara që në moshat më të hershme.
Pavarësisht nga pengesat gjuhësore, paralelet e përziera janë shumë të dobishme për çdo komunitet, sepse Ulqini nuk përbëhet nga vetëm një komb, por nga emrat si Riza Shurdha, Mishko Miroviq, Fadil Taipoviq, Sabataj Cevi, Lika Ceni, Balshiqët, Vëllezërit Fani, Fiqri Hasanaga… Shumë ulqinakë të njohur janë dëshmi se Ulqini ndërtohet përmes diversitetit, e në këtë rast kështu është edhe me Tivarin.
Të rriturit janë ato që duhet t’i këshillojnë dhe drejtojnë fëmijët drejt interkulturalizmit, sepse ata do të jenë bartës të këtij fenomeni në të ardhmen dhe të rinjtë janë ata që do të shkaktojnë konflikt të parët, por edhe ata që do të pajtohen dhe do të ndërtojnë miqësi të përjetshme!
Teksti është shkruar në kuadër të projektit “Jeta ndërkulturore e fëmijëve në Ulqin” i cili zbatohet nga OJQ “SHOKU” me mbështetjen e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.Pikëpamjet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të minoriteteve.
Leave A Comment